Saturday, November 04, 2006


...........Poezia është një lule e rrallë, shumë delikate, që mbin aty-këtu në fushën e begatë të artit, lulja më e bukur, më nazike, më lozonjarja, më buzëpërdredhura, më sqimatarja... Poezia nuk afron lehtë çdo njeri, sepse ajo kërkon devocion të plotë; kërkesat e saj janë shumë të larta. Ajo i jepet vetëm një dashurie poetike. Poezinë duhet ta duash gjatë, shumë gjatë dhe prapë... nuk e di a do të marrësh prej saj, atë që është magjike dhe që shtrihet si një linjë melodike midis vargjeve; pra thelbin, palcën, eliksirin e saj.

.......Vëllimi poetik "Yjet do trazoj" është sinteza tridhjetvjecare e krijimtarisë sime; është një prezantim i dallgëve emocionale dhe refleksioneve që unë kam grumbulluar në gjeografinë aq të larmishme të jetës. Ky libër nuk pretendon të ezaurojë të gjitha tallazet shpirtërore, nëpër të cilat ka kaluar heroi im lirik, absolutisht jo. Në këtë libër unë jam munduar të qëmtoj më të ndritshmen, më të bukurën, më mbresëlënësen ndjenjë; jam përpjekur që nëpërmjet transformimit artistik të impresioneve të castit, të bie në marrëveshje dhe disa herë t'i bindem tërheqjes emotive të subkonshiencës. Nga ana tjetër, jam përpjekur të kthej në art dhe ta instaloj brenda kornizave të konshiencës cdo mëkat lirik, në mënyrë të tillë, që libri t'i përkasë një game sa më të gjërë publiku.
.........Ky libër hap krahët e tij dhe përqafon butë, pa rrëmbim çdo dashamirës; djaloshin e dashuruar dhe nënën e dhemsur, fëmijën çapkën dhe gjyshen plakë. Më tej libri fluturon në dimensione të panjohura, në të cilat gjen “dy hëna”, dashuri të humbura, parajsa pa fund dhe pse jo edhe Zotat vetë. Libri fton muza, çjerr fantazma dhe puth zëmra lulesh…
////////Libri mbyllet me një prozë poetike…për poezinë. Aty përpiqem të shtjelloj mprehtë dhe shkurt, mënyrën se si e shoh unë poezinë, si e këndoj dhe ndjej vargun e shkruar…



..................................................Dhimitraq Papando